MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Mendime për poezinë e K.Traboinit

SILUETA E NJERIUT NE IKJE…
 Dy vëllime poetike të Kolec Traboini-t(1)

LIRIKË PJALMUESE

Kolec Traboini është autor i mëse 20 librave me poezi, prozë (tregime dhe një roman), ese dhe publicistikë historike. Merret edhe me gazetari. Është fitues i disa kupave për filma dokumentarë. Pas rënies së komunizmit, në shkurt të vitit 1991 u largua për në Greqi, kurse në vitin 1995 shkoi në Amerikë, ku u vendos në Boston. Vitet e fundit, Koleci, pjesën më të madhe të kohës e kalon në Tiranë. 


Nga ANTON GOJÇAJ


-Vështrim letar në gazetën "Koha javore" Podgoricë, date 31 janar, nr. 601, faqe 10-11 dhe 6 shkurt 2014, nr. 602, f.10-11, mbi librat me lirika “ E kam Atdheun tek porta” dhe "Dashuri", K.Traboini 2013 -

Krijimtaria poetike e Kolec Traboinit mund të shijohet edhe e shkëputur nga të dhënat për biografinë e autorit, mirëpo nëse lexuesi është i njoftuar me to, ajo bëhet më e kuptueshme dhe mund të vlerësohet më drejt. Ky këndvështrim “pozitivist” është i justifikueshëm për disa arsye: e para, sepse Koleci është biri i Palok Traboinit, bashkëluftëtarit të Dedë Gjo Lulit dhe autorit të poemës historike "Lufta e maleve"; e dyta, sepse Koleci pasi që si student (1973) botoi librin e vet të parë (me tregime), për të cilin pat marrë çmimin inkurajues në Konkursin kombëtar të letërsisë dhe arteve, librin e radhës me përmbajtje letrare-artistike, një përmbledhje poezie, e botoi vetëm në vitin 2002, domethënë rreth 30 vjet më vonë. Pastaj, brenda vetëm një dhjetëvjeçari, 2002-2013, lexuesve u dha madje dhjetë përmbledhje me poezi. Akumuloi një kohë të gjatë, për të “eksploduar” në moshë të pjekur. Mund të jetë që periudha e diktaturës nuk ishte ambient i duhur për ta zgjuar talentin e fjetur, apo ndoshta poeti nuk dëshironte të shkruante sipas diktateve dhe modeleve (të imponuara) të kohës - qoftë edhe duke dhunuar dhantinë e vet. Pas rënies së diktaturës, njëzet vjet bredhi gjithandej, në mërgim, në kërkim të "atdheut" të ri për familjen e vet. Familjes, pas një odiseje shumëvjeçare ia gjeti çerdhen e re, në SHBA, por vetë u kthye në "Itakë" - Shqipëri. Vitin e fundit Koleci botoi dy përmbledhje të reja. Njëra, që nga titulli  "... e kam atdheun tek porta" paralajmëron disponim refleksiv, kurse tjetra "Dashuri" kumton një tematikë klasike, por gjithmonë aktuale, atë të dashurisë...




Zëri i brezit të arratisur  
(Kolec  Traboini, “ ... e kam Atdheun tek porta”, poezi, Tiranë-Boston 2013)

Të dhënat nga ballina e librit që në tekste letrare dikush i quan elemente paratekstuale, në rastin  e vëllimit "... e kam atdheun tek porta", kanë peshë semantike specifike, pasi që pjesa e dytë e emrit - TRABOINI - është emri i vendlindjes së lindjes së të atit të autorit, fshat ky që ndodhet jashtë kufijve të Shqipërisë, kurse titulli të cilit i mungon kryefjala, sikur simbolizon një identitet të përgjysmuar, në lëvizje, prej nomadi...
Ligjërimi i folësit lirik në këtë vëllim mund të konsiderohet tipik për marrëdhënien e shqiptarëve të periudhës postkomuniste me atdheun, të cilët u shkapërderdhën në të gjitha drejtimet dhe anët e botës, në kërkim të një jete ndryshe larg tij dhe që, në tokën ku kanë lindur kthehen, kryesisht, vetëm herë pas here (për pushime) dhe përkohësisht.
Kolec Traboini, me këtë libër, është zëri i brezit të të arratisurve (apo që të mos ketë konotacion pezhorativ: shpërthyesve të kufirit të vdekjes dhe izolimit):
    Ishin vitet  '90, koha e ikjes së madhe
    koha e shpresës së thyer në njëqind xhama
    me dritaret e shtëpive të shqyera e vatra pa zjarr
    ikja ishte një shkëndi shprese në lugina e male.  
                        (REQUIEM PËR ËNDRRËN E VRARË)

Fjala "Atdhe", në këto poezi, pa e humbur kuptimin e parë nga fjalori, gjeneron nuanca të reja semantike pandërprerë, si një “konstantë e ndryshueshme”, në varësi nga motivi apo disponimi i çastit i folësit lirik, duke i dhënë lexuesit një spektër të pasur konotacionesh dhe emocionesh, që karakterizohen, si gjithë poezia e këtij autori, me një shkallë të lartë komunikativiteti, ku çdo varg është i denjë për një meditim të gjatë.
   Atdheu është atje ku ngjizet dashuria
   por edhe atje ku mbi varre rëndon një gur
   mbi kokën e gjysh-stërgjyshërve, edhe atje
   ndodhet Atdheu që s'harrohet kurrë. 
                          (FËMIJËT TEK PRAGU)

Odhiseja e folësit lirik, alias autorit, pas arratisjes dhe bredhjes shumëvjeçare, nënkupton edhe kthimin në "Itakë", si dhe zhgënjimin e shumëfishtë të tij me realitetin që gjen aty:  Në rrafshin psikologjik - "U ktheva në atdhe nga dhera të huaj /por jeta nuk u ktheka përsëri"; Në rrafshin filozofik: "Sepse asnjë rreze që rrëzohet /para syve tanë në qiejt e kësaj fundvere"/nuk është e mundur të kthehet/sërish në degë; /.         
Në rrafshin social-politik (pezmi i poetit të pakënaqur me gjendjen në Atdhe arrin kulminacionin duke shpërthyer përmes një name monumetale të realizuar me një patos të theksuar dramatik): "Unë votën time do ta shes/se nuk kam bukë për drekë e darkë./Heu..., ju vraftë Zoti me rrufe /për fukaranë të marri hak."/
Vjersha me titullin "Ma vodhën atdheun" qëndron në vazhdën e traditës më të mirë të poezisë sonë satirike, në shëmbëllim të satirikës së P. Gjergj Fishtës, Ali Asllanit e ndonjë tjetri. Intonacioni i rreptë, që del nga zjarri i zemrës, drejtpërdrejt dhe pa latime të tepërta stilistike, u bën gjëmën "hajdutve e kopukëve" që Atdheun (popullin) e infektuan me virusin e tëhujasësimit dhe shuarjen edhe të atyre pak shkëndijave të idealizmit patriotik që mbijetuan katrahurat historike,  me pasoja gati apokaliptike për shëndetin e identitetit kombëtar dhe kulturor të shqiptarëve.
Trumbetojnë lirinë që s'e kemi
demagogët tanë kokëtrashë
kinse nuk e dinë se nuk ka liri
atje ku nuk ka as bukë të hash

Nuk ka liri kur je i papunë
nuk ka liri kur nuk ke shpresë
i mbetur në mes udhëve në mjerim
njeriut s'i mbetet veç të vdesë.

   (...)

Ma vodhën Atdheun kur ika
ma vodhën Atdheun si të mos ish
erdh koha të ndjehem i huaj
në vendin tim kur u shfaqa sërish

   (...)

Tani jam si një pellazg pa vendlindje
një shqiptar mërgimtar - pa Shqipëri
e vetmja strehë ku mund të vë kokën
është një vrimë miu me emrin shtëpi.

Sepse, o Zot, çdo gjë mbi këtë dhe
në këtë tokë ku farë urrejtjeje mbollën
ca qen bir qenësh të vendit tim
ma shkatërruan ma vranë ma vodhën."

Tonet refleksive të gërshetuara me mllefin e poetit, lexuesve u ofrojnë një tryezë të shtruar me begati idesh, emocionesh, shfryrjesh, pasioni..., që e kompensojnë në kuptimin e plotë të fjalës kohën që ua marrin atyre. Një njohje (vegim iluminues) të llojit të veçantë folësi lirik e artikulon në momentin kur, duke iu drejtuar pasardhësit të vet, Matteos së vogël, i cili jeton në Boston, shprehet:
„ – Ne jemi shqiptarë, malësorë, bijtë e Hotit,
   Ti tashmë i përket një kombi tjetër
   Por të gjithë popujt janë bijtë e Zotit!“   
                    (MIRËDITA MATTEO!)

Në libër ka motive anti-politike lidhur me statusin e artit në shoqëri (Shi e ngricë për bilbila, Rruga e pluhurit, Engjëjt i vrasin, Gazeta botoi shkrimin tim për atdheun e tj.), motive ambientaliste (Pallate pa diell, etj. ), vargje të angazhuara kundër dukurisë së trafikimit të qenieve njerëzore, sidomos të femrave (Vajza e semaforëve), çka arrin kulminacionin në krahasimin e hatashëm antiheroik e „migjenian“ - „Atdheu si një trup prostitute“, madje edhe meditime interesante për globalizmin (Kur bota të jetë një Itakë).  


2-DEHJE VJESHTE

(Kolec Traboini, Dashuri, poezi,  Tiranë-Boston 2013)

Kolec Traboini me krijimtarinë e vet poetike në dy deceniet e fundit përmbys disa stereotipe, të cilat reflektohen në përmbajtje, cilësi dhe kuantitet. Ai ndryshon nga shumica e shkrimtarëve të tjerë për faktin se në portën e letërsisë hyri me një libër me tregime, në moshë të re, kurse njëzet vjet më vonë vazhdoi me poezinë. Zakonisht ndodh e kundërta, fillohet me poezi e pastaj kalohet në prozë. Paragjykimi tjetër që thyen ai ka të bëjë me cilësinë: thuhet shpesh se poezia më e bukur për dashurinë shkruhet në moshën e re. Koleci vargjet më të mira për dashurinë, i shkruan në vjeshtën e jetës. Dhe jo vetëm se shkruan mirë për dashurinë, por shkruan edhe shumë. Në gati secilën përmbledhje të tij motivi i dashurisë mbizotëron.
Libri në fjalë është një përzgjedhje e poezive të dashurisë nga gjithë krijimtaria e tij e deritashme. Është një poezi joshëse, e cila lexohet me ëndje, që s'ka nevojë për zbërthime të mundimshme kuptimesh. Është e vetinterpretueshme, e plotë, e përmbyllur në vete, me një fjalë – e vetëmjaftueshme. Dhe asnjëherë hermetike.
Poeti, duke hyrë në moshën e tretë, ndihet i përfshirë nga tallazet e dashurisë, çka e përjeton si një dalldisje që sfidon racionalen dhe kohoren:
     
Kjo dehje vjeshte keq na zuri
Si gjeth mbi gjeth te dy na vuri
Me ditë e netë krejt u harruam
 Si frut me frutin dashuruar.
                            (KJO DEHJE)

Epshi për ta shijuar të bukurën e re, adhurimi i saj, akoma nuk është fikur, pavarësisht trashjes së vazhdueshme të stivës së kalendarëve, një qëndrim mashkullor ky që ma kujton Çarls Bukovskin (dallimi mes tyre është se Koleci shmang banalitetet dhe vulgarizmat dhe është paksa më eterik), mirëpo ligjet e fizikës dhe mosha njeriun e vënë përballë problemeve të pazgjidhshme:

Si vallë s'u gjend ende një shpikje
moshës t'i kthejë rininë e parë
se shpirti që më fut në ngasje
më thotë: ke mbetur si një djalë.

                (...)

I vu udhëtarët në ëndërrime
dhe unë përhumba në fytyrë të saj
me një dilemë që kurrë s'gjen zgjidhje
Këtë moshë më dysh si mund ta ndaj?
                         (NJË VAJZË NË TORINO)

Mosha e poetit përcakton edhe perspektivën e folësit lirik, në ligjërimin e të cilit ka shpesh reminishenca drithëruese për kohën e shkuar: „ndaj shkoj herë pas here në motin e shkuar /të kërkoj çfarë sot nuk e gjej mjerisht.“/

Fëmijëria dhe rinia e hershme lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirtin e njeriut, çka shprehet fuqishëm edhe në krijimtarinë e Traboini. Në vjershën „Dashni në kohën e kolerës“, që aspak rastësisht ta sjell në mendje titullin e romanit të njohur të G. G. Markesit, kujtohet me mall koha e rinisë, e cila edhe pse në rrethana „kolere“ arrin të prodhojë çaste të paharrueshme, të cilat pas shumë vjetëve shpërthejnë në trajtën e shkëndijave të një nostalgjie përvëluese. E gjitha kjo jepet si një tabllo e cila, për rrezet semantike dhe emocionale që përmban, e kapërcen, por nuk e zhduk, motivin bazik:

Oh, rinia jonë e varfën
deri tek vështrimi, më tej drithërima
dhe orgazma cfilitej brenda vetes
diktatura, polici, dhuna, frika
burgu, internimi, ndalimi
 ia troshiste epshet njeriut
që bante dashni veç me sy
dashni pa buzë, pa gji, pa kofshë
dashni në eter, pa mish e kocka
ne djemtë e rrugës Badra...

Në linjën e kujtimeve të dashurisë është edhe mësimi që heroi lirik mori nga jeta, e të cilin ia përcjell lexuesit: kujdes nga mbivlerësimi i vetes dhe nga krenaria e tepruar, sepse në lojën e dashurisë nuk durohet mendjemadhësia, ndërsa tentimi për të luajtur, deri në nënshtrim, me ndjenjat e partnerit, ndëshkohet:

Thash se ish e imja krejt
se ne bashkë kishim fjetur
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.

Mendoja do vriste veten
tragjikisht në dashuri
po ajo gjeti një tjetër
puth ajo e nduk ai.
                 (RRI E SHOH NJË RE NË QIELL)


Veçantia e kësaj lirike është se dashurinë nuk e pranon vetëm si relike të kujtesës nga koha e rinisë, por e kërkon në mënyrë aktive edhe në çastin e shkrimit, ani pse në vjeshtën e jetës. Vazhdimisht përsiat për atë temë, shtron pyetje dhe përgjigjet, duke mos e humbur ngrohtësinë dhe besimin në kuptimësi:

Ajo çfarë ndjejmë, një shkëndi
që ende shpreson të ndezë zjarr
ty ende trupi të ka eshkë
e mua mosha më ka strall.    
                  (ME KITARË NË BREG TË DETIT)


Bëhet fjalë për një lirikë pjalmuese, në vokabularin e së cilës frekuentojnë shpesh afshet, epshi, seksi, zjarret, puthjet, buzët, zemra, poleni, prushi, flakët, kofshët, vithet, sytë, flokët, por sidomos gjoksi. Gjoksi është kryefjala e këtij libri, që shfaqet në trajta (edhe si sinonim dhe sinekdotë) të ndryshme: gjinjtë, sisa, cica, thithka, supi... Kjo mund të interpretohet me lidhjen „simbiotike“ të kënaqësisë erotike që mashkulli gjen në gjinjtë e gruas dhe me semantikën tragjike të Rozafës, që mëkon fëmijën me „tamël guri“, që shton një shtresë të re psiko-emocionale nëse dihet se Shkodra është qyteti i fëmijërisë së poetit.

Qysh kur vumë themelet e qytetit mbi gjinin
e bardhë të një gruaje
me këtë simbiozë sizmike kemi lindun.  
                                 (SIMBIOZË SHKODRANE)

Librin e shquan një melankoli e ëmbël, të cilën e shpreh mashkulli para të dashurës së parafytyruar, që herë është e pranishme, e herë mungon, kështu që edhe poezia mund të kuptohet si një parabolë e udhëtimit të një „Uliksi lirik“ drejt Penelopës së tij:

fatin e Penelopës – pritje e ke ti
e unë si Odise pas Odisesh bredh
nëpër mote
sa mendimet  m'u thinjën e floku m'u zbardh
e Farët e shpresës janë në të shuar.
                                   (PENELOPË DHE ODISE)

Mbetet brenda shembëlltyrës së heroit fatkeq nga Itaka edhe kur gjatë bredhjeve të veta, heroi lirik i këndon Circeve (mishërimeve të dashurisë) në Romë, Korinth, Athinë, Paris, apo:

Eh, si vajti puna ime
me ca vargje ëndërrime
me ca nimfa nëpër rrjeshta
që m'i sjell e m'i zhduk vjeshta.

Eh, si vajti puna ime,
nëpër botë me ca udhëtime
herë në Boston, herë në Romë
nëpër lule pa aromë.

Eh, si vajti puna ime
mbledhur shuk një grusht kujtime
për një vajzë atje në Vlorë
për një Ofeli si borë. 
                 (EH, SI VAJTI...)

Kolec Traboin është një mjeshtër i rimës. Lehtësia me të cilën e funksionalizon estetikisht rimën, por edhe figurat tingëlluese dhe përsëritëse, frazeologjinë shqipe, janë mahnitëse. Nuk është adhurues i risive stilistike me çdo kusht, më shumë është ndjekës i formave klasike, prandaj mund të konstatohet se lirika e tij është vazhduese e poezisë së mirë shqipe të traditës, në radhë të parë të Lasgushit, por ka pikëtakime edhe me poetikën e Zef Serembes, Ali Asllanit, kurse te vjersha „Zemër çmendurake“ ka ngjashmëri (në ritëm) me „Marathonomakun“ e Nolit, etj. Natyrisht që ka elemente të ndryshme poetike që bashkëpërkojnë, herë më shumë e herë më pak, qoftë në formë, qoftë në frymë, edhe me poezinë e autorëve më të mirë bashkëkohorë shqiptarë.

"Koha javore" Podgoricë,  31 janar, nr. 601, faqe 10-11 dhe 6 shkurt 2014, nr. 602, f.10-11, mbi librat me lirika “ E kam Atdheun tek porta” dhe "Dashuri", K.Traboini 2013 -
 

Vizatim nga Kolec Traboini
PORTRETI I POETIT PËRMES VARGJEVE TË TIJ 

Nga VLLASOVA MUSTA

Është kënaqësi të marrësh njëherazi dy vëllime poetike në duar, e për më tepër, kur këto i ka shkruar i njëjti autor, që është edhe miku yt. Jam njohur me Kolecin para shumë vitesh, gati 40 vjet më parë, kur ai u emërua me punë në Kinostudio dhe kishte fare pak kohë, që kishte botuar librin e tij të parë me tregime “Petalet e bajames së hidhur“.  dy librat e rinj, vinë pas një vargu të gjatë botimesh në prozë dhe poezi dhe që çuditërisht mua më kujtuan apo më sollën pranë freskinë, aromën dhe bukurinë e ”Petaleve të bajames së hidhur“ që si një biskajë përherë e blertë, u prin gjithë atyre që erdhën dhe do të vinë pas...
Tek lexon nga njëra poezi tek tjetra befas ndjen se të kanë marrë me vete, të kanë futur në magjinë e tyre dhe krahas leximit, ndjen zë, ndjen tingull dhe kaq e plotë të bëhet kjo tingëllimë, sa të duket sikur nuk ke përpara një poezi, por një qënieje të gjallë, që të flet, të zgjon, të troket e të merr pas vetes duke të shpalosur pafundësi ngjyrash, stinësh dhe ditësh njerëzore.
Poezitë e Kolec Traboinit, përcjellin ngrohtësi, kanë dhimbje, kanë trishtim, kanë brenga apo mall, po aq sa kanë edhe dritë dhe forcë dashurie. E ndoshta për këtë lexohen me një frymë, si në një rrëfenjë, ku janë të mpleksur hijshëm të gjithë elementët që i duhen për t´i dhënë ngjyrë, hapësirë dhe frymë. Përmes poezive vizatohet me një elegancë të hollë dhe tepër i spikatur, portreti i tij, bota e tij, ëndrrat e tij dhe gjithçka që përmbart në të tërën poeti Kolec Traboini.
Dhe kësisoj, nga njëra poezi tek tjetra, është pranë teje jo vetëm poeti, por njëherazi qytetari-intelektual, që s´mund të jetë indiferent dhe përmes një trishtimi njërëzor, na pohon: / Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ Ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/ Që të kujton dinosaurët /E lartë, hijerëndë e të egër. /Tani nuk kam më veç një përçik qiell /E një çarçaf të verdhë /Varur në ballkon si diell…/.
Më tej, të shfaqet njeriu me shpirt të ndjeshëm, që preket qoftë dhe nga një detaj që ndesh në të përditshmen, që ka përjetuar dhe mban të ndrydhur fëmininë e jetimit, që e ndjen më mirë se kushdo tjetër këtë varfëri shpirti dhe natyrshëm thotëne poezine “Shtëpia e fëmijes” - mikut tim Ilir Çumani: /Një plagë Një dhimbje /Një dashuri /Që të ndjek pas gjithë jetën /Për pëllumbat e lagur në shi /Një strehëz. /
Me tjetër forcë, me tjetër zë e vetëm duke pulsuar të vjen pranë atdhedashësi, ai, që e ka atdheun tek porta, që e merr me vete kudo që shkon e që malli për të është i përhershëm e i pandshëm, i plotë dhe i dridhshëm brenda botë së tij. Ky zë gati gati si në një lëngatë thërret përvajshëm: ”ma vodhën atdheun“:  /Ma vodhën Atdheun kur ika/ Ma vodhën Atdheun si të mos ish/ Erdh koha të ndjehem i huaj /Në vendin tim kur u shfaqa sërish./ E vetmja mundësi është të thërras /Deri në kupë të qiellit më zërin prush:/ Ma vodhën Atdheun! Ma vodhën! /Po këtu nuk të dëgjon më askush. /.
E midis tyre, si një kalorës që veçse trokon e s`di të ndalet, përherë rrezëllitës e gjithëstinësh, vjen i dashuruari, e kur fjala është për dashurinë, duket se tek poeti ravijëzohen gjithë ngjyrat e ylberit, fryjnë gjithë flladet dhe erëmirat, këndojnë e cicërojnë gjithë shpendët e hapësirave qiellore dhe zemra e tij, është strehëz për të gjitha, është fyell, këmbanë, trumpetë që bie e troket në çdo stinë. Është një e vërtetë e dëshiruar prej kujtdo e për më tepër e një shpirti artistik siç është poeti, që të jetojë bashkë me dashurinë, ndaj ai përsërit: /Nëse viktimë quhet një vajzë /Që unë në kupë kërkoj ta pi /Ma merrni jetën pa mëshirë /Se sa të rroj pa dashuri./
Ose në një tjetër poezi, ai thotë:
/Nuk e di, nuk e di /Pse dashuria më shfaqet si Dielli /Që del e më ngroh bash atë çast /Kur shpatullat i kam të ngrira./
Kolec Traboini është poeti dhe shkrimtari në kërkim të një motivi të ri, përherë i prekshëm dhe i ndjeshëm, përherë i freskët dhe me ngjyrë e kështu do ta kemi pafundësisht, se ai ka tharmin e krijimit, të pjekjes e të lindjes, të mrekullisë që sjell krijimi që buron nga shpirti, i lirë, i pastër dhe tingullshumë.

14 shkurt 2014



MESAZHE QE PRESIN...

Nga ASTRIT LULUSHI


P
a një trashëgimi, çdo gjë është e varfër. Kështu edhe fusha e letrave. Prandaj nuk është jo e zakonëshme që kur shkruhet rreth kohës që jetohet, pranë zenë vend edhe ato që janë krijuar nga shkrimtarë e poetë  fizikisht jo më, por veprat e tyre, po - edhe pse shpesh gjysmë
të harruara.
Duket se është ky motivi nga i cili dy poetë - Iliriana Sulkuqi e Kolec Traboini - me banim në Amerikë, u nisën me kujdes artisti në përgatitjen e librit "Kujto Poetin", ku poetë shqiptarë që nuk jetojnë më, 5 poetë të ekzekutuar nga diktatura dhe shumë të tjerë krijues nën thundrën e saj a të arratisur,  flasin nëpërmjet vargjeve të tyre:
- "Vëmë re",  thotë Kolec Traboini në parathënie,  "se disa autorë patën jo vetëm fat tragjik, por edhe u shoqëruan me një lënie në harresë e jashtë vemendjes së mediave."
Pra "Kujto Poetin" vjen edhe si mesazh i qartë - se një libër si ky, është jo vetëm kujtesë - por edhe njohje, e plot mësime të harruara për mortin që do të binte, siç paralajmëronte poeti
 
"..mos e lyp at varg/asht shum ma mirë/korimbat t'tu mos t'dijnë çka do me thanë/me qen' poet e mos me qenë i lirë".
Kështu shkruante Lazer Shantoja, si për t'u thënë gjykatësve komunistë që po e dënonin, se ata kurrë nuk mund t'a kuptonin poezinë e tij. Shantoja u ekzekutua nga komunistët më 1945 - varri i tij nuk dihet.

"Atdheun e dija të rritur/por sa i vogël paska qenë", shprehej poeti Trifon Xhagjika, ndosha kur ndodhej para skuadrës së pushkatimit më 1963, atëhere 31 vjeç. Po kështu edhe i vrari tjetër nga diktatura komuniste, poeti  Wilson Bloshmi  që u dënua me vdekje për vargje si
këto: "më i gjallë jam se çdo i vdekur…" apo ''..ska as lot të qajë/nuk ka miq e shokë/nuk ka as bijë, as bir/ Saharaja, është një copë tokë".

Por "Ç'ka se vdiqa shpejt?/Lumnija nuk qe për mue/E lashë një përmendore!" - " shkruan Arshi Pipa në Tingullim i Këputun, poezi që autorët Sulkuqi e Traboini e kanë përfshirë në këtë album.
Kujto Poetin, botimet ADA 2011, përmbledh poetë shqiptarë nga viti 1945 - 2010, që nuk jetojnë më. Secili prej 40 poeteve në këtë album përfaqësohet me 4 - 5 poezi të përzgjedhura dhe çdo njeri prej tyre me një pëshkrim të shkurtër biografik.
"Kujto Poetin" është vërtet risi, i pari i këtij lloji në shqip. Libri duhet parë edhe si një fillim që lexuesit shpresojnë të bëhet traditë, duke u pasuar nga vëllime me poete të tjerë të cilët edhe pse nuk jetojnë më, kanë lënë pas mesazhe që presin të përçojnë vlerat e veta edhe sikur…."në fund të dheut fshehun ti po të ishe/me falë po t'duhet ma se sa një jetë/porsi kalorës prrallash do t'vijshe/ndër njëmijë shtigje ty kisha me t'gjetë" siç do të shprehej Drago Siliqi (1930 - 1963) në "Kujto Poetin" fq 146.

"Fjala e lirë" 5 maj 2012