MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Ikje nëpër vjeshtë / Kolec Traboini

IKJE NËPËR VJESHTË...

Kur të mbulojnë gjethet
e aroma e frutave të deh
në qiellin e kaltër harlisen
çmendurakët zogj
dashuria e ndjen veten ngrohtë
e brenda saj çdokush ngazëllen
po ka edhe ikje nëpër vjeshtë
ikje që drithërojnë ngjyrat, tingujt
botën që na rrethon e një pikë lot
në pikëllim qiejsh fluturon
për gjethen e vjeshtës
që era e pragdimrit pamëshirë
e rrëzon.

Kolec Traboini
17 dhjetor 2014

🟠 FAJIN E KA HEKUBA - K. Traboini / Pantheon Books 2014



KOLEC TRABOINI
FAJIN E KA HEKUBA
Perënditë nuk e mbrojtën dot Trojën
se grekët ishin dinakë, i mashtruan hyjnitë
që ndiznin marihuanë a flinin.
Po ka njerëz që shkaqet i gjejnë diku tjetër
tek Hekuba, bija e Cezeut, gruaja e Priamit
që lindi plot 19 fëmijë - edhe Paridin.
E thonë se Paridi ishte shkaku
se shkoi rrëmbeu Helenën e bukur
e të mos kish lindur Paridi
rrëmbimi nuk do kish ndodhur.
Të gjitha i thonë me hamendje - përralla
por Troja prapë se prapë është djegur.

Legjendat mbetën gërmadhash
kur në botë u shpall dita ime
kësisoj e kam dhe unë një Iliadë
dhe një Trojë e kam - shtëpinë time
kthyer dhe ajo në gërmadhë.

Për gjithë këto gjëra që ndodhën
në jetën time - fajin e ka Hekuba
e me Hekubën nënkuptoj Nënën time.
Sepse po të mos kish lindur shumë fëmijë
unë do të isha i vetëm
nuk do ta ndanim kafshatën e bukës
në shtatë gojë të çapëlyera në fëmijëri
dhe një motër e vogël s’do kish vdekur.
Po të mos kishte lindur Paridi
po të mos kisha lindur dhe unë
gjërat do të ishin ndryshe
s’do përjetoja këtë kalvar mundimesh
ku jeta më tërheq përdhuni.

Fajin e ka Hekuba
Hekuba dhe Nëna ime.

2013


SHPIRTI DHE FRYMA

Je shpirti i natyrës
valë deti dhe flladi
që përkëdhel fytyrat e njerëzve
je aroma e luleve të pranverës
fryma e qiejve që na i zgjon ëndrrat
edhe kur flemë edhe kur zgjohemi
aty gjithnjë e re dhe e madhërishme
me gjinj të plotë e flokë të harlisur
si lindja e diellit dhe hëna
që zhytet si delfin i gëzuar
nën përkëdhelinë e valëve
gjithçka është dashuruar me ty
se ti je shpirti dhe fryma e gjithçkaje!


TRËNDAFIL NË PORTË

Do kthehem prapë tek portë e vjetër
me trëndafil do ta hap
që t’ mos ketë më mbyllje tjetër
si shtërg i ikur detit larg.

Ti porta ime - shtëpia ime
ti dhembja ime sa një mal...

Janar 2014


GJETHE VJESHTE

U zutë për një fjalë krejt kot
si gjethe që rrëzon prej një klithje
të një shpendi që në muzg nxiton
kur stinët janë në ndërrim e në ikje.

Si të gjeti vallë vjeshta kështu
me ndenjësen përballë në heshtje
dikur ai rrinte aty
e ty të shihte pa reshtje.

Me vështrim e kërkon herë pas herë
aty në kafenenë e vjetër
si zog i harruar dimri

me cicërima për zemrën tjetër.

Tani ti në vetmi nuk flet
po fjalë ke plot në kryengritje
pse vallë të ikte e le
e mbete në këtë vjeshtë në pritje?

Ju pikëlloi vjeshta në sy
erdhi dhe iku
e bashkë s’ju gjeti
të dy…


BIE SHI NË PARIS

Pikat e para të shiut ranë mbi kullën Eifel
pastaj shkitën në krahët e një pulëbardhe në qiej
mbi barin buzë Senës ku dashurohen zogjtë
u lagën karriget në kafenenë e vjetër ku
me mbesën e qenushin rrinte Jacques Prevert

një djalë e një vajzë vietnameze s’e ndalojnë puthjen
u shijon aq shumë puthja nën shi
sikur të ishin në orizoret brigjeve të Mekongut
teksa kalimtarët e lagur mezi gjejnë strehë
nën rrebeshin që do, me çdo kusht ta mundë Parisin

mbi Harkun e Triumfit ulen re nervoze
edhe në varrezat Pierre-Lachaise, mbi gurë
Jim Morrison-i do të këndonte për këtë shi
që tundon edhe nëndheun e të vdekurve
nën qiparisat që elegjojnë pikëllimin e zi

një shitës Biblash ankon nën çadër
po lagen dhe shkrimet e shenjta, o Zot
shkruar kur ende njerëzimi nuk kishte Paris
bie shi, gjithçka në rroposje, thua përmbytet bota
tashmë që Noe nuk gjendet kurrkund

ngecur në kryqëzimin e rrugës Myslym Shyri
ku makinat s’të lënë të kalosh në krahun tjetër
pranë pallatit ku banoj, tek porta
lagem dhe unë që nuk kam qënë kurrë në Paris
sepse kur bie shi në Paris, laget gjithë bota.

 2014

IKIN YJET

Ikin yjet, ca në Romë, ca në Athinë
dale - u them, ku ikët kështu, mos u harroni
kemi qiell edhe ne, dhe ne ju duam
bëj t’i kthej, ata më tutje, s’i qas dot
kokën kthyer më një anë e ikin tutje.

Ikin yjet, netët tona mbenë pa hënë
ha inat me veten time e rri e them
vatrat tona krejt kukuthe prej mërzie
toka ngrin e qielli zbardh si shtrat qefini
se nuk gjejmë, të mjerët ne, një yll Shqipërie.

Ikin yjet- ikin vajzat në tjetër dhé
n’ shtëpitë tona mbemë si qyqet pa fole…

1 Gusht 2014


PROFECIA

Zoti të ka krijuar për të shkruar poezi
sa kohë që të ka falur me dhuntinë e dhembjes
pa t’i mohuar të gjitha bukuritë
të trupit e të mendjes
ti duhet të bindësh për këtë shpallje qiellore
jo duke besuar tek mrekullia
por duke mëkuar dashuritë e vuajtjet
e duke ngjizur me to vargje përditë
kur të jetë mishëruar profecia
triniteti yt do të jetë i përkryer
( trupi, mendja dhe shpirti)

...se, Zoti e parathotë
por poeti vetbëhet.

9 qershor 2008


QIEJT IA PLASIN SHIUN GJOKSIT TIM

Atdheu im është Shqipëria ime
me dy pëllëmbë fushë e një grusht male
në krah e shpatull kam detin
përballë dyndje të frikshme
të cilat nuk di si i përballoi historia
e mua më lindi këtu

Atdheu është sa dy grushtat e mi
që pafundësisht i mbështes në kokën time
tek mendoj kalvaret nëpër të cilat kaloi
populli im

më thoni të këndoj për popullin, e do të këndoj
më thoni të këndoj për gjysh-stërgjyshërit e mi
më thoni të këndoj për Gjergjin e madh
për gratë që u hodhën prej shkëmbit të zi

por mos më thoni të këndoj
për çfarë më shohin sytë
natyrën, zogjtë, pemët, luginat e lumenjtë
të vrarë e shqyer si mo Zot ma keq
retë do të mblidhen si vajtojca pagane
sa kënga ime do t’ia plasë vajit
e qiejt do t’ia plasin shiun gjoksit tim.

2014

 SAMURAJT E FJALËS
Një pjeshkë u rrëzua në kopësht
nata elegjoi në qiell
aroma u var nëpër degë.

Nimfa e lakuriqtë m’u shfaq
mbi liqenin e kaltër të lotit
më puthi në sy dhe u zgjova.

Fëminija më erdhi ndajnatë
-Jam Krishti- më tha- hape portën.
Po unë, as shtëpi e as portë nuk kisha.

M’u shpallën ferri e parajsa
Shën Pjetri me kyçet ia mbathi
veç Purgatori kish mbetur i lirë.

-Ik – i thashë vesit. Ai ndali
më mikloi me fruta të ëmbla
dhe strehëz i bëra sërish.

Desha që ajo të vinte
i shkrova emrin në një letër
e hodha nga balkoni në rrugë.

Yllin tim do ta zbres në tokë
në vend të tij do të shkoj të digjem
se për poetët nuk qenka kjo botë.

Përtej vajzës që dua është deti
gjiu i kaltër me dritë e valëza
dy kodra dhe bregu.

Valëkaltra mbi këmbët e mia
anija shkon drejt perëndimit
rana poshtë meje rrëshqet.

Mali zgjat hijen tej lumit
kështjella përkundet legjendash
klithma ujnash ikin në det.