MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

🔴ITAKA GRUA - K. P. Traboini / Pantheon Books 2008


ITAKA GRUA
Lirika në shqip, anglisht dhe italisht
 

ITAKA GRUA 152 FAQE/ 2008/ OMBRA GVG/ ISBN  978-999-43-44-78-9


KOLEC TRABOINI

LIRIKA NË DETIN E SIRENAVE
Poezitë e mia( në qofshin)
janë më së shumti improvizime
bashkëbisedime shpirtërore me njerëzit.

më së shumti me gratë, në këtë kuptim
gratë janë fanarë të ndezur
në mademet e shpirtit tim
ku unë, në saj të tyre - shpresoj
se do të arrij të gjej ar...

të jetë platforme fatlume a fatkeqe, thua?!
të jetë një shkak asketik për t'u tunduar
për të shpresuar më tej një pasojë fatlume

pas udhetimesh në vise të largëta
nëpër detra të panjohur e të pambarimtë
duke e sfiduar kështu varfërinë
që tërë jetën si hije pas më ndoqi.

ndoshta më së fundi, falë grave
nuk do të jem më i përndjekuri varfanjak i fatit
e do iki me botën e amshimit me një trastë ar
gjetur në shpirtërat e grave.

kur të më vijë fundi s'do lë testament
u a shperndani zonjave që desha a nuk desha
me shkakun se s'i njoha, a mbase
se, ende nuk kishin lindur.

është e vetmja mirësi që mund t'u bëj
grave të atdheut tim dhe grave të gjithë botës
thesarin që ma falën sërish t'ua kthej...
30 maj 2008

 

QËNKA E BUKUR TË JETOSH

Qenka bukur të jetosh me një pasion
që në dukje është fare i thjeshtë
ndërthurja e fjalëve
e me ta të sajosh pafundësisht vargje.

kur një ditë të mos kesh më të nesërme
trupi të bëhet i panevojshëm
sajesa e fjalëve
të zërë vendin e njeriut
të harrojë të vdekurin
e gjallnojnë ndër të gjallët

* * *
të bësh harram tërë një jetë
për tu strukur pastaj si zog i mardhur
në një shkurre dimnake fjalësh.


28 Maj 2008

SISËT E ANAVE

plasa t'i bind miqt e mi piktorë
se shqiptarka e Italisë
ka sisët më të bukura në botë
e se Udha e Qumështit zë fill
në thithkat e saj...

e ndoshta, gjithnjë sipas gjykimit tim
për të ka zgjedhur për të rrojtur Firencen
se atje është Davidi lakuriq
më i bukuri mashkull i Botës...

plasa t'i bind miqtë
por edhe vetë shqiptarkën Ana Sali t'a bind
e, nëse ajo ma mohon bukurinë e gjinjëve
do të kaloj Pirinejt
t'a shoh Atllantikun nudo, pa fustanin e kaltër
e atje të trokas në gjoksin e portugezes
Ana Tampado...

më shkoi jeta duke parë ëndrra nudo
duke thithur sisë Anash si bebe
herë të një shqiptarke e herë të një portugezje...


I DASHURUAR ME NJË KARFICË

Imazhi i saj më merr për dore e më tregon qytetin e vdekjes
ku, që nga koha e Kadmit e përkëtej, prehen poetët
me zbulon hijet që peshojnë më rëndë se gurët ciklopikë
pastaj më linçon me një buzëqeshje, tek harlis flokët
më pis të zi se pëndet e korbit

karfica që i ndan, vetetimë mes dy qiejsh të errët
si ornament indianësh kërcnuese më shfaqet
“Ik!“ më thotë, shpëto skalpin,ti nuk guxon të kërkosh
më shumë se një buzëqeshje, nuk ke të drejten e përkedheljes
as puthjes, ajo është pronë besnike e dikujt tjetër
në të gjallë, mund të ëndërrosh ta puthesh vetëm pas vdekjes.

E veshtroj thellë imazhin e princeshës së fjalës që drobit zemra
nuk guxoj të ndez mirazhe ku të fle me të në krevatin e ëndrrës
as në çarçafët e verdhë ta pushtoj, në jetë s’qënka e thënë
t’i kafshoj buzët, ta puth në barkun e butë ku lind jetën
e sisat në gjoksin tim t’ja mbështjell, jo se jo...

si shtuf i kuq dheu ndjehm, teksa në krahëror
një shëmbje, hapet një zgavërr; edhe plagë edhe varr
pamundësia si një humbellë e zezë universi më përpin qënien
trallisem, këmbanat në qytetin e poeteve të vdekur kumbojnë
ndjellin të gjallët,... por ende nuk ka ardhur koha ime
ndaj më duhet të ik nga sytë këmbët.

Imazhi i saj më tradhëtoi, më solli në këtë qytet hijerëndë
për të më thënë se veç në qivur gjithkujt mund t’i përkasë
ajo, flokëkorbi, princesha me karficë, me të cilën bëj dashuri
fle e zgjohem me të nëpër ëndrra, si të isha një poet ciklopik
i çmëndur.
...një karficë dashurie mund ta rigjesh edhe pas një mijë
a dymijë vjetësh...

   PARFUM ROMAN

A drithëron ende kur pas një dimri të lodhshëm
të shfaqet Shën Valentini, lakmuesi i zemrave njerëzore?
përpiqet ai të pushtojë apo ti e ke robëruar
e si një skllav dashurie
ta mbulon gjoksin me trëndafila?

nuk di asgjë se çfarë ndodh në Romë
por veç aromën e parfumit të trëndafilave t'a ndjej
m'a sjell oqeani përmes dallgëve dimër qoftë a verë
e drithërohem kur mendoj
se me trëndafila të mbulojnë të tjerë...

2008


TRI VJESHTA

Në mos përgjithmonë, të paktën e pata në tri vjeshta
në tri stinë pashë drunin e mollës të zhvishej
të hidhte poshtë tek këmbët e mia edhe gjethen e fundit

ateherë, kur në degë kishin mbetur vetëm
fruta të pjekura si diej që zhyteshin muzgjeve në det
ndjeva dallgët e mia që pushtonin leshterikët e brigjeve të fjetura

e rroka me puthje lakuriqësinë drithëruese
mbi gjinj i vura gjethe të kuqërremtë
e piva deri në fund pikën e lotit në sytë e saj eterikë

më dha çdo gjë që kishte, me zjarr e me flakë
detin tim e përpiu pa mundur të shuhej krejt
se i duhej pak prush për të nesërmen për trupin eshkë

në mos përgjithmonë, të paktën e pata në tri vjeshta
e tri vjeshta nën floknajën e hënës
nuk janë pak për një jetë.


ITAKA GRUA
 
Në ta gjetsha shtegun çelur
do të vi të fle me ty
të përkedhel si fllad i mbrëmjes
në qepalla e në sy

flokët do ti shtri si lirë
hëna tingujve t’i bjerë
do të pres të pikoj një yll
si nishan në ballë ta vë

në krahëror do të furfulloj
me gishtërinj si thëllënxë ere
frutat pjekur - gji gufuar
afshi i fundit i kësaj vere

do të bëhem lumë e krua
detit do t'i bëhem valë
si sirenë Adriatiku
të notosh ti nëpër dallgë

të më ndjellësh- të më çmendësh
të harrohem i pa mend
se nuk dua tjetër Itakë
veçse trupin e gjirin tënd

bëj sikur - pakujdesia
shulin nuk ja vuri derës
e me vlagë të trupit tënd
t'ia shuajmë zhegun kësaj fundvere...

15 Korrik 2008