MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Ungjilli i burrave të botës - nga Kolec Traboini



KOLEC TRABOINI
Nga libri Itaka grua
Tiranë - Boston 2008

UNGJILLI I BURRAVE TË BOTËS

O Zot, kryekrijesa yte hyjnore
nuk është Adami por Eva
asaj tek i falemi
nderojmë emrin tënd
nën pushtetin e të bukurës
u nënshtrofshim
sot e përgjithmonë e jetës
O Zot, Amen!
 

SISËT E ANAVE

Plasa t'i bind miqtë e mi piktorë
se shqiptarka e Italisë
ka sisët më të bukura në botë
e se Udha e Qumështit zë fill
në thithkat e saj...

e ndoshta, gjithnjë sipas gjykimit tim
për të ka zgjedhur për të rrojtur Firencen
se atje është Davidi lakuriq
më i bukuri mashkull i Botës...
plasa t'i bind miqtë
por edhe vetë shqiptarkën Ana Sali  t'a bind
e, nëse ajo ma mohon bukurinë e gjinjëve
do të kaloj Pirinejt
t'a shoh Atllantikun nudo, pa fustanin e kaltër
e atje të trokas në gjoksin e portugezes
Ana Tampado...

më shkoi jeta duke parë ëndrra nudo
duke thithur sisë Anash si bebe
herë të një shqiptarke e herë të një portugezeje...

PARFUM ROMAN

A drithëron ende kur pas një dimri të lodhshëm
të shfaqet Shën Valentini, lakmuesi i zemrave njerëzore?
përpiqet ai të pushtojë apo ti e ke robëruar
e si një skllav dashurie
ta mbulon gjoksin me trëndafila?

nuk di asgjë se çfarë ndodh në Romë
por veç aromën e parfumit të trëndafilave t'a ndjej
m'a sjell oqeani përmes dallgëve dimër qoftë a verë
e drithërohem kur mendoj
se me trëndafila të mbulojnë të tjerë...

2008

TRI VJESHTA

Në mos përgjithmonë, të paktën e pata në tri vjeshta
në tri stinë pashë drynin e mollës të zhvishej
të hidhte poshtë tek këmbët e mia edhe gjethen e fundit

ateherë, kur në degë kishin mbetur vetëm
fruta të pjekura si diej që zhyteshin muzgjeve në det
ndjeva dallgët e mia që pushtonin leshterikët e brigjeve të fjetura

e rroka me puthje lakuriqësinë drithëruese
mbi gjinj i vura gjethe të kuqërremtë
e piva deri në fund pikën e lotit në sytë e saj eterikë

më dha çdo gjë që kishte, me zjarr e me flakë
detin tim e përpiu pa mundur të shuhej krejt
se i duhej pak prush për të nesërmen për trupin eshkë

në mos përgjithmonë, të paktën e pata në tri vjeshta
e tri vjeshta nën floknajën e hënës
nuk janë pak për një jetë.


LOTËT E GRAVE

Mos qaj, mikja ime, mos qaj
ani pse lotët e kanë një funksion
qartësojnë shikimin
të bëjnë t'a ndjesh më shumë ajrin
të biesh në dashuri me tulipanët dhe qiellin
pasi të ketë rënë dhe pika e fundit e shiut...
nëse tundimi a gëzimi të mund
në krahëror e ke një gulç vaji
që do të ikë nga kafazi si zog
kur të qash, më thuaj
e pikën e fundit të lotit tënd
mos harro t' ma ruash
do të mbledh të gjitha lotët e grave të botës
të bëj me to një varëse për Diellin...

26 prill 2006


TAKIM NË PARIS


Takimin në Paris mos m’a refuzo
një shetitje buzë Senës në puhizën e mbrëmjes
pak mjegull pas së cilës të fshihem si zogjtë
nga vështrimet e njerëzve

asgjë nuk dua pranë meje
veç dritat blu të Shen Elizè-s në qerpik
në një ëndërr të fle e të zgjohem
me ty në takim, në Paris...

të tjerët le të shkojnë te Mona Liza
të mahniten para fytyrës së saj në adhurim
shpirti më është rreshkur nëpër strehëzat e botës
ndaj dua të mbështetem veç në prehërin tënd

....një shetitje buzë Senës në puhizën e mbrëmjes
pak mjegull pas së cilës të fshihem si zogjtë
nga vështrimet e njerëzve.

mos m'a refuzo një takim
mos u bëj lirikë e padisponueshme
sa kohë që jeton në Paris...


SYTHE BORE

Paske lindur në shkurt, si unë, mikja ime
me një fat e një nëmë të përbashkët.

të lindurit në shkurt janë dashnorë të zjarrtë
dhe vuajtës të mëdhej gjithashtu.

fatin nuk ndrrohet, s'ke çfarë të bësh
veç në duart e tij të lëshohesh.

megjithëse ka një magji dimërore
ndoshta eskimezët profanojnë kështu:

kur dy vuajtje si dy trupa bashkohen
shkrin akulli, nisin e cicërijnë zogjtë

e nëpër drurë shfaqen sythe bore...
që bulëzojnë me një puthje …

po të ishim bashkë në ditëlindjen tënde
sa lule do të çelnin, e sa zogj
do të cicërinin sonte?!

20 shkurt 2008


GJINJË ÇAMËRIE

Lërmë mua të këndoj për gjinjtë
ç'ne ti?!
apo ju vajzat e Çamërisë
e keni Egjeun tek këmbët
dhe ishujt e Safos përballë....
ndërsa unë i mjeri malësor, veç male
përtej kufirit s’i ju, trojehumbur
me pak liqen Shkodre që shoh nga largësitë
si një pasqyrë ku shihen Zotat
e krihen zanat e Bjeshkeve të Namuna.
kur dallga e Egjeut brigjet të rrahë
në mos sot, nesër, a pasnesër
gjithmonë do të pres
të m'i sjellësh ata gjinjë Çamërie
që pikojnë si yjet e Udhës së Klumshtit
në gjoks e në krahë do t'i marr
t'u këndoj me lahutë një këngë Malësie…


ZHVISHU

A janë gjinjtë e tu diell
a nuk jam unë toka që dielli yt e ngroh?!
lakuriqsia jote është pushtet mbi jetën
fruti duhet ngrënë, fara duhet mbjellë
ndaj zhvishu mikja ime....eja, mos u dro!


PIKË VERE

Gjithmonë të kam menduar si shishe vere
deri në fund të kam pirë në trallisje poetësh
ende më frymëzon të shkruaj - çfarë do të thotë
ka edhe një pikë vere në gotë...

 ____________ ____________