MOS VDIS DASHURI 2002 NOKTURN 2004 REQUIEM PËR NJË GJETHE 2005 TRINIA IME 2006 KOHA E PROSTITUTAVE 2007 ITAKA GRUA 2008 LULE PELLAZGJIKE 2012 U DASHKA TË DAL NATËN VONË 2012 E KAM ATDHEUN TEK PORTA 2012 DASHURI 2013 FAJIN E KA HEKUBA 2014 ORAKUJT NË FERR 2015 ODEON 2016 OFELI 2019 ODE PËR SHKODRËN

Ndue Pal Shllaku “Kangë gjumi për mue ishte zani i natyrës”- përg. Kolec Traboini

“Kujto Poetin!” Nismë kombëtare e Klubit Poetik Tirana 
në përkujtimin të poetëve që nuk jetojnë më.

NDUE PAL SHLLAKU
Balada tragjike e një jetimi / aktor dhe poet / vdes në moshën 20 vjeçare.
25 shkurt 1922 - 28 maj 1942

“Kangë gjumi për mue ishte zani i natyrës”

Ndue Pal Shllaku u lind më 25 shkurt 1922 në Shllak. Ishte biri i Pal Vuksanit dhe i Katrinës së Kolë Ndout, e cila ishte bijë Dushmani. Babai i vdiq shumë herët duke e lenë jetim një vjeç. Më vonë poeti i ardhshëm do të shkruante në ditarin e tij për fëmininë e vet: “… që në fëmini dishroj babën. Trupi i tij përkundej në shpinën e ngarkuese të s’amës. Kjante e veç lotët e syevet tue rige mbi mollza ia lmojshin faqet Ndout ferishte. Strehë pushimi dituer për Ndoun, ishte ndo’  i hije peme nder ara të zharituna ku e ama punonte për t’ushqye vedin e të voglin e sajë. Atë nuk e lmuen kurr duer delikate; por dy duer të vrazhda pune po shum të dashura nanë. Kangë gjumi ishte për të zani i natyrës”.
Kur ishte 3 vjeç së bashku me nënën zbritën në Shkodër. E ëma sakrifikoi gjithçka për të rritur e shkolluar të birin. Kështu Ndue Pal Shllaku ndoqi mësimet në Gjimnazin e Shkodrës. Hyn në shoqërinë Antoniane në vitet 1935-1936. Falë talentit merr pjesë në veprimtaritë artistike të qytetit si një aktor i ri shumë premtues. Janë të shumta shfaqjet ku ai merr pjese, apo edhe i përgatit vetë. Në vitit 1941 luan personazhin kryesor në tragjedinë me pesë akte “Thomas Moore” të Silvio Pelicës (1789-1854), dramë e përkthyer nga Padër Agustin Ashiku.
Mbështetur në librin “Zemra” të E. De Amiçis, kapitulli “Gjak Romanjolas” Ndue Pal Shllaku shkruan pjesën dramatike “Një natë tragjike” në te cilin luajti edhe vetë rolin e gjyshit.
Në krijimtarinë e Ndue Pal Shllaku, siç shkruan studiuesi Xhahid Bushati,  ka 30 poezi, 10 novela e novelëza, një ditar, një përrallë dhe shumë përkthime, me një dramë origjinale të titulluar “Omeri i ri” që arriti deri te akti i parë.  Në mars të vitit 1942, kur ishte në vitin e fundit të gjimnazit të Shkodrës, u sëmur rëndë. Dy muaj më pas, ndrron jetë moshën 20 vjeçare, në kohën me të bukur të stinës e të jetës, më 28 maj 1942. Jeta e tij si një baladë jetimi, një tragjedi e dhimbshme për çdo zemër e për çdo skenë, aq pasiononte aq e shkurtër, si një meteor që aty nis e aty mbaron, por gjithësi i ka lënë gjurmët e dritës.

Per Ndue Pal Shllakun kanë shkruar:

XHAHID BUSHATI: ...muajin e fundit e kuptoi se lulet dhe diellin e qershorit nuk do të arrinte t’i shihte më. Jeta për të çdo ditë vakej, tashmë ishte një shpresë e kotë… Megjithatë ai vazhdonte të shkruante… ashtu i shtrirë në copa letrash e në faqe të plota. Edhe pse dora dridhej e fjalët ishin të pasigurta, e shpesh ishin pranë njëra-tjetrës, e shpesh hynin në hisen e njëra-tjetrës (sepse ishte pamundësi vetëkontrolli), poeti ende shkruante nën trysninë e kacafytjes së jetës me vdekjen mizore.

LODJA:
Krahasoj prendveren t’ime:
Me vjeshtën që don me ardhë
Me jetën që Ty t’a mardhë,
Me natën që s’ka m’u zbardhë
Kurr ma.
E lott m’rrjedhin heshtueshëm
N’për zemrën e gandueme
N’për mollxat e zverdhueme
N’për vargjet e vorfnueme
O vlla.            

(Vjeshtë!..- kushtue Ndue P. Shllakut-,
autori: Lodja, gaz.”Tomori”, 24.11.1942)


NDUE PAL SHLLAKU

SHKODERS
-strofë të shkëputuna-

La marrje; ushqye n’tokë t’onë.
I korb i zi, me jarg ‘ i fjal’ jetës s’onë
Të rand’ i a paska thanë ktij vendi!!..
Çka? … Shkodra meni ?!

Nji za Ilirsh, i kohës së moçme
Qiell’n tue ça – ushton e vrret ala
Dhe ngjallë nji brimë n’kala
“Po Shkodra e sotshme?!”

Nji za i vetëm… t’parë as t’mbramë
S’permenden … Shqiptarët po i dijnë
Agron, Teut’ e Genc, … e , sa e sa që vijnë
Der’n’ Gjergjin famë.

Lumnija flet vet’, shkrue tujsh o Shkodër!
Për ty edhe bota mbar’ e qiella;
Të flasin ty, e hanë e hyj, e diella
Që shndrit’n mb’at kodër.

Shkod’r! Shkodra e zem’rs s’on’ ke me e pa
Prej kshtjellit t’and larg p’rmend’ mbi dhe
Djelmninë, që n’gji t’and t’ken le
Si m’t’ madhnue ka.

Ngreh’ pra ballin e, zanit t’armikut
Mënershem kercnoju e, rrembt’ vraja;
Ty, rrasa lumnije më t’mdhaja
T’ gdhenen çelikut.

         
RETË E PRENDIMIT

Knqem me ato re prendimi që qetas
Të kuq-ngjyme enden nepër qiell
                    dhe lehtas
Përulen, pushojnë e falen me diell!

N’ças n’ze mer pa pritë bjen mjerimi
N’ato re deshiri gjithçka zhduket
                    Shkelqimi
Ndrron n’hije t’errëta, kurrgja ma s’duket.
                    Humbet dhe’ j ditë.

LULËS

I qetë asht kopshti stolisë nder lule,
T’vokët’ e agimit flladi e tretë,
Qeshet dhe kndon, luleve bulë n’bule,
Eren e kandëshme kerkon m’e gjetë,

At erë dashnije, puhi shpirtnore
Zemren e cilla krejt i a ka zaptu,
At erë Hyjnore pranë s’cilles prore
Me ndejë kerkon der sa t’jenë shu

Pergjakë e dermishë ka duer nder ferra,
Tubzen e bukur dashnis m’i gershetu,
Synin e kthiellt, n’kujtime t’tija t’thella
Zemra i rreh, n’krahnuer tue kujtu

Nji lule tjeter, lule dashni je
Syvet së cillës veçse pika loti
Rrjellin t’argjanët, hirë pastri je
At shpirtë dashunon sa t’endet moti.

S’KUPTOJ !!!??

At ditë qi u pame
M’grabite menden!
At ditë qi u ndame,
M’coptove zemren!
Qesha dhe kjava
Me t’uejit sy
Por kuer u ndava,
Nuk t’pashë ma ty!!!?
Thu kshtu dashnija
Mu n’ças u shkim?!
E tash vetmija
Gjegjë Shpirtit t’im?!!!!

DIELLIT

T’falem o diell vezllimesh!
E ju rreze të shkëlxyeshme.
Që n’hare puthni malet
N’largim për i dit’ dëfrimesh
Që agon me ngjyra t’ndryshme!
Plot zemër e gjith i botë u falet!

………………………………
Botuar: Tomori, 05.06.1942)

VORFNIJA E PASUNIJA

Vorfnija asht nji grue e shkretë
Me zemër plot mjerime;
Gjithmonë udhton n’deshprime,
Shpesh t’mson me e gzue kët jetë.

Pas’nij’a’j zojush’ e terbueme;
Të knaq’njat-her’ kur e ke,
Me t’ikë, at-her’ i mjer’je
Vishtir’m’e ba ma t’hatrueme.

Përgatiti:
Kolec P.Traboini
11 shtator 2017


____________ ____________